Përfaqësues të Parlamentit Evropian kanë ngritur mocion për rezolutë për zgjedhjet në Serbi. Parlamenti ka kërkuar pezullimin e financimit të Serbisë nga Bashkimi Evropian nëse del se autoritetet serbe ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin me votat.
Në mocion janë përmendur një varg parregullsish gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit, si fryrja e listave të votuesve, përfshirja e emrave të personave të vdekur, shkeljet gjatë votimit, votime në grup, sulme fizike, votuesit që me autobusë u dërguan në Serbi nga vendet fqinje, blerja e votës, që kryeministrja Ana Bërnabiq publikisht e ka falënderuar shërbimin inteligjent të Rusisë për informacionet mbi aktivitetet e opozitës.
Më tej, aty thuhet se fushata zgjedhore u karakterizua nga retorika agresive, diskreditimi, abuzimi verbal dhe gjuha nxitëse, duke përmendur dy media “Rusia Sputnik Serbia” dhe “Russia Today Balkan” që kontribuuan në mënyrë aktive në përhapjen e dezinformatave për kandidatët e opozitës.
“Përsërit qëndrimin se negociatat e anëtarësimit me Serbinë duhet të avancojnë vetëm nëse vendi bën përparim të theksuar në reformat e tij të lidhura me BE-në, duke përfshirë zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE-së dhe Komisionit të Venecias” dhe shton më tej “nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandimet kryesore zgjedhore ose nëse gjetjet e këtij hetimi tregojnë se autoritetet serbe ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin me vota, bën thirrje për pezullimin e financimit të BE-së bazuar në shkeljet e rënda të sundimit të ligjit lidhur me zgjedhjet në Serbi”.
Mocioni thekson se zgjedhjet e 17 dhjetorit u dominuan nga përfshirja e presidentit serb, i cili bashkë me partinë udhëheqëse “krijuan kushte të padrejta”.
“Sundimi i ligjit dhe funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë mbeten një sfidë thelbësore për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”, kanë cekur anëtarët e PE-së.
Me të gjitha argumentet e mbledhura, në mocion kanë theksuar se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë më 17 dhjetor devijuan nga standardet ndërkombëtare për shkak të abuzimit të vazhdueshëm dhe sistematik të institucioneve dhe mediave nga pushtetarët për të fituar një avantazh të padrejtë.
Parlamenti thotë se është “i alarmuar nga raportet për shkallën e gjerë të mashtrimit që cenoi integritetin e zgjedhjeve në Serbi”. Ndërkaq, përsërit se parregullsitë e gjetura tregojnë se Serbia ka rënë nën standardet e pritura nga një vend kandidat i BE-së.
“U kujton autoriteteve serbe se funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të pranimit të Serbisë në BE”.
Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi parregullsitë në zgjedhje, posaçërisht për ato për Asamblenë e Beogradit. Si dhe i kanë bërë thirrje autoriteteve serbe të hetojë, ndjekë dhe sjellë para drejtësisë përgjegjësit për veprat penale gjatë zgjedhjeve.
“Shpreh keqardhje për mungesën e reagimit institucional ndaj akuzave serioze për përfshirjen e pushtetarëve në manipulime e abuzime zgjedhore. Thekson se disa nga parregullsitë zgjedhore përbëjnë shkelje të mundshme të ligjeve dhe Kushtetutës serbe; thekson se nëse lejohet të vazhdojë pa asnjë pasojë, kjo praktikë do të minojë besimin në procesin zgjedhor dhe institucionet e Serbisë, duke penguar në mënyrë të pakthyeshme sundimin demokratik dhe integrimin e mëtejmë evropian”, theksohet tutje.