Vajzat e mitura shpesh bien pre e shantazhit nëpër rrjete sociale, ku detyrohen të bëjnë gjëra që s’duan gjatë komunikimit me persona të ndryshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Sllatinë të komunës së Vushtrrisë, ku një vajzë 15-vjeçare ka denoncuar në Polici një bashkëmoshatar të saj, me të cilin po komunikonte që një kohë në rrjete sociale.
Sinjali mëson se i dyshuari i kishte kërkuar të miturës fotografi të ndryshme ku ajo shfaqej e zhveshur dhe më pas e kishte shantazhuar se nëse ndalon së dërguari fotografi, ai do t’ia publikojë ato që ka në rrjetin social TikTok.
15-vjeçarja e cila më nuk dëshironte t’i dërgojë fotografi nudo djalit në fjalë, ka parë se i dyshuari ia ka publikuar fotografitë e mëparshme në TikTok.
Njësitet policore nuk kanë arritur ende që ta kapin dhe ta shoqërojnë për intervistim të dyshuarin, ndërkohë është iniciuar rasti për veprat ‘Shantazh’ dhe ‘Keqpërdorim i fëmijës’.