“15 mijë euro para dhe 15 mijë pas krimit” – zbulohen detaje rreth porosisë për vrasjen e gruas së Naim Murselit

Bashkëshorti i Liridona Murselit, i dyshuari Naim Murseli, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.

Hetimet e vazhdueshme të Policisë zbardhën detaje nga skena e krimit, kështu duke rënë në pranga vetë Murseli si dhe i dyshuar tjetër, i cili siç merr vesh Sinjali nga burimet e veta është Granit Plava.

Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj, tashmë i arrestuar, Naim Murseli.

Sinjali mësoi se Granit Plava është bashkëfshatarë me Naim Murselin, i cili për ta kryer vrasjen dyshohet se u pagua 30.000 euro nga Murseli.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.

Ndryshe, dy të dyshuarit për vrasjen e ndodhur të mërkurën, i cili rast fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më herët njoftoi se janë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku u arrestuan të dyshuarit, si është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës penale.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet më tej.

Prokuroria tutje bëri të ditur se në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *