Pas Britanisë, edhe Rumania pritet të dërgojë rreth 200 trupa shtesë në KFOR

Pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist që kjo e fundit e kreu në Banjskë të Zveçanit, Rumania do të dërgojë më shumë trupa në misionin e NATO-s në Kosovë.

Ushtria rumune do të shtojë numrin e forcave të saja të dislokuara në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe do të dërgojë një kompani këmbësorie në misionin paqeruajtës ballkanik në periudhën e ardhshme.

Kështu ka njoftuar Ministria rumune e Mbrojtjes Kombëtare.

“Pas autorizimit nga Këshilli i Atlantikut të Veriut në lidhje me forcat shtesë për të menaxhuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, Rumania do të vendosë në të ardhmen e afërt një nën-njësi në nivel kompanie, të emëruar si pjesë e rezervës strategjike në dispozicion të SACEUR, brenda operacionit të NATO-KFOR-it në Kosovë. Rumania ka marrë përsipër, si një aleat i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së, përkushtimin për të kontribuar me forca dhe mjete ushtarake në përpjekjet për të ruajtur një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thanë nga Rumania.

Rumania aktualisht kontribuon në operacionet në Ballkanin Perëndimor me pothuajse 330 ushtarë, nga të cilët rreth 250 në Bosnje dhe Hercegovinë dhe rreth 80 ushtarë në Kosovë, në operacionin e KFOR-it.

Një kompani ushtarake përbëhet nga 150-250 trupa.

Aktualisht në KFOR shërbejnë rreth 4,500 trupa nga 27 vende.

Të dielën, një zëdhënës i aleancës tha se rreth 200 trupa britanike do të vendosen në Kosovë për të forcuar praninë e NATO-s, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Në të njëjtën kohë, Gjermania bëri të ditur se nuk përjashton rritjen e kontributit të trupave gjermane në misionin paqësor të NATO-s në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *