Incident në Leposaviq: Policia gjuan me armë në drejtim të veturës që tentoi t’i godas

Në orët e para të së mërkurës, ka ndodhur një incident në Leposaviq, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri që dyshohet se janë shkrepur nga dy zyrtarë policorë që po intervenonin në një rast. Rasti ka ndodhur pasi policët e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë kanë dhënë urdhër që një veturë të ndalojë, shoferi i së cilës më pas tentoi t’i godas.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se gjithçka ka ndodhur pas mesnate, kur njësia policore ishte nën vëzhgimin e veturës, që dyshohet se po bartte emigrantë në mënyrë të kundërligjshme.

Intervenimi i zyrtarëve policorë ishte i shpejtë, por shoferi i dyshuar shpërfilli urdhrat e Policisë pasi zbriti nga automjeti emigrantët dhe më pas në tentativë për të ikur, dyshohet se i ka rrezikuar policët.

Sipas informacioneve të para, i njëjti ka tentuar që t’i godas me veturë policët, gjë që i vuri në lëvizje zyrtarët policorë dhe si rezultat dy prej tyre po dyshohet se kanë shtënë me armët zyrtare në drejtim të automjetit.

Zyrtarët policorë që u përfshinë në këtë rast, kanë kërkuar asistencë në vendin e ngjarjes, me ç’rast njësitë përkatëse të Policisë, bashkë me hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.

Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, i dyshuari është identifikuar, por i njëjti akoma nuk është arrestuar – ndërkohë që kanë nisur hetimet për të zbardhur detajet në të cilat ka ndodhur rasti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *