Rrugët ilegale dhe pamundësinë që Policia të afrohet krejt afër kufirit janë arsye që grupi terrorist serb ka arritur të fus në Kosovë një sasi aq të madhe armatimi.
Kështu të paktën po thotë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili deklaroi se ka shumë rrugë ilegale.
“Kufijtë e Kosovës me Serbinë kanë vijë kufitare 380 kilometra. Është e pamundur që gjithçka që lëviz në kufijtë e Kosovës të monitorohet, sepse terreni është i vështirë. Ka shumë rrugë ilegale që janë hapur, e hapen vazhdimisht nga Serbia me Kosovën. Kemi parë manikeri, ekskavatorë, mjete të rënda që vazhdojnë të hapin rrugë afër kufirit me Kosovën”, tha ai.
Ai bëri të ditur se armatimi është futur grupe grupe në rrugët ilegale.
“Me një marrëveshje që KFOR-i ka, Policia nuk lejohet t’i afrohet vijës kufitare më afër se 1 mijë metra. Në momente që futesh brenda 1 mijë metërshit degëzohen shumë rrugë ilegale të cilat Policia e Kosovës e ka të pamundur t’i monitorojë. Armatimi është futur përmes rrugëve ilegale , janë futur grupe grupe të caktuara dhe janë afruar deri te fshati Banjskë”, tha Hoxha për REL.