Menjëherë pas sulmit terrorit në Banjë të Zveçanit, Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano, bëri të qartë se për të dalur me një deklarim përfundimtar si qëndrim për atë çfarë ndodhi me 24 shtator BE-ja po pret përfundimin e hetimeve nga institucionet e Kosovës.
“Hetimi duhet bërë plotësisht”, pati deklaruar Stano, kur ishte pyetur për disa video të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, rreth asaj se çfarë kishte ndodhur në Banjë.
“Që BE-ja të ketë pamje të qartë se çfarë ndodhi dhe kush është fajtor duhen hetime të plota”, pati shtuar Stano, duke pohuar se ua kanë lënë institucioneve të Kosovës ta kryejnë hetimin, duke konfirmuar po ashtu se Kosova ka edhe ndihmën e EULEX-it, nëse i duhet.
Por, po kalon një muaj nga këto sulme dhe institucionet e Kosovës akoma nuk i kanë dorëzuar një hetim gjithëpërfshirës e të përfunduar Bashkimit Evropian.
Kjo bëhet e ditur nga një intervistë e Tomas Szunyog shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, për mediumin e Kosovës në gjuhen serbe, Kosovo Online.
“Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen përmes një hetimi të plotë, në kohë dhe efektiv nga autoritetet e Kosovës”, deklaroi Szunyog, duke lënë të nënkuptohet kështu se Kosova akoma nuk ka dërguar një raport përfundimtar.
Ai shtoi se “BE-ja, përmes EULEX-it, është duke i monitoruar nga afër hetimet në vazhdim”.
Megjithatë, për të konstatuar se sulmi në Banjë nuk ishte punë e “një njeriu”, mjafton të shihet “përmasa e municionit dhe armëve të konfiskuara”, e cila ishte “e madhe”, shtoi Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë.
“Shtrirja e operacionit ishte e paprecedentë”, tha në një moment gjatë intervistës politikani nga Republika e Çekisë.
“Provat sugjerojnë se nuk ishte organizuar vetëm nga një person. Presim bashkëpunimin e pakushtëzuar të Serbisë si dhe bashkëpunimin e çdo pale tjetër që mund të hedhë dritë mbi detajet e sulmit”.
Autorësinë mbi sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, e pati marrë Milan Radojiçiç, krye-krimineli që udhëheqë me bandat në Veri, i kërkuar nga Kosova si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç dhe i futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Jo vetëm Radojiçiç, por edhe çdo autor tjetër në këtë sulm, “duhet të vihet para drejtësisë”, pohoi diplomati evropian.
Përveç deklarimeve të Szunyog për mungesën e një raporti përfundimtar mbi hetimet në Banjë, as Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk ka dalur me një shpjegim përse akoma nuk i kanë dorëzuar përfundimet e hetimet te partnerët e BE-së.
Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Në orët e para të së dielës me 24 shtator, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në Facebook se një polic i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, është vrarë në Veri.
Kur zbardhi dita, u kuptua se nuk bëhej fjalë për një sulm nga ndonjë grup huliganësh që herë pas herë kanë sulmuar policinë atje, por në Kosovë ishte futur një formacion paramilitar.
Më vonë do kuptohej se udhëhiqej nga Radojiçiç. Ishin diku mbi 30 veta, por në Kosovë kishin futuar armatim dhe pajisje për mbi 200 persona.
Reagimi i shpejtë i njësiteve speciale të policisë, duke eliminuar tre prej terroristëve dhe arrestuar të tjerë, bëri që grupi të futej në një manastir në fashtin Banjë dhe të mbyllej aty për orë.
Qeveria e Kosovës u bëri kërkesë të dorëzoheshin, por terroristët zgjodhën opsionin e ikjes dhe përmes maleve dolën në Serbi.