Një liqen në Hawaii është kthyer në mënyrë misterioze në rozë të ndezur – dhe ekspertët po shprehin shqetësimin për fenomenin e çuditshëm. Shkencëtarët thonë se për këtë nuancë “të çuditshme” mund të jetë fajtori i thatësirës dhe paralajmërojnë se njerëzit nuk duhet të hyjnë kurrë në ujë apo ta pinë atë.
Liqeni, dikur i pasur me peshq, tani i ngjan një skene nga një përrallë apo film vizatimor dhe ndodhet në strehën kombëtare të kafshëve të egra të Pellgut Kealia.
Uji i liqenit në këtë ligatinë në ishullin Maui ka ngjyrë rozë të ndezur dhe ka qenë që të paktën nga 30 tetori, thonë zyrtarët, pasi përmbajtja e kripës së ujit është rritur për shkak të thatësirës ekstreme.
Mostrat e ujit të dërguara në Universitetin e Hawait sugjerojnë se halobakteret janë pas ngjyrës së re të ujit, sipas Agjencisë së Peshkut dhe Kafshëve të Egra të SHBA-së.
Halobakteret janë organizma njëqelizorë që lulëzojnë në ujë shumë të kripur, si Liqeni i Kripur i Madh dhe Deti i Vdekur. Ky bakter konsiderohet i ashtuquajturi ekstremofil për shkak të aftësisë së tij për të jetuar në një mjedis kaq ekstrem – në këtë rast kripësia e ujit dy herë më e lartë se normalja.