Një pjesë e madhe e Kosovarëve, që i përkasin sektorit privat, punojnë pa kontrata pune e madje edhe pa kushte të mirëfillta të punës e të cilat parashihen për çdo puntorë, shkruan Gazeta Neutral.
Në mungesë të kontratave, punëtorëve nuk i’u paguhen kontributet e madje në raste të lëndimeve apo vdekjeve, familjarët nuk mund të kërkojnë dëmshpërblim nga kompania, pasi që nuk posedojnë dëshmi se i njëjti ka vepruar si punëtorë legal.
Në Kosovë, vetëm gjatë periudhës janar-nëntor, janë raportuar 22 raste të vdekjeve të puntorëve në vendin e punës.
Kështu ka konfirmuar për Gazeta Neutral, kryetari i Sindikatës të sektorit privat, Jusuf Azemi.
Sektori më i prekuri nga kjo dukuri është sektori i ndërtimtarisë. Ky sektor hyn ne listen e punëve që janë me rrezik të shtuar.
Gjatë viteve të fundit, në Kosovë janë ndërtuar qindra ndërtesa shumëkatëshe. Pothuasje çdo qytet është kthyer në punishte. Një numër i madh i klasës punëtore punojnë në “baushtella” ku kryesojnë moshat e reja nga 25 deri në 45.
Sipas ligjit të punës, punëdhënësi është i detyruar të sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve në pajtim me ligjin. Por megjithatë, punëdhënësit nuk janë të dispilinuar në atë pjesë.
Në bazë të rrezikut ekziston një listë masa mbojtëse për punë,si: mbrojtje e kokës; mbrojtje e rrugëve të frymëmarrjes; mbrojtje e syve; mbrojtje e dëgjimit; mbrojtje e gjymtyrëve të sipërme dhe gjymtyrëve të poshtme; mbrojtje e trupit,si dhe parandalimin e rrëzimeve.
Edhe pas raportimit të vazhdueshëm për vdekjet dhe për mos përfilljen e masave mbrojtëse në punë, inspektorati I punës, nuk ka ndërmarrë masa parandaluese.
Rasti i fundit është në Partesh të Gjakovës, ku një 22-vjeçar humbi jetën tragjikisht derisa ishte duke punuar në vendpunishte.