Kurti në Shqipëri, zëdhënësja e Ramës: Do të jenë në ceremonitë e festimet në Vlorë e Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të qëndrojë në Shqipëri sot dhe nesër, me rastin e 111 vjetorit të pavarësisë.

Manjola Hasa, zëdhënëse e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i tha Gazetës Express se të dy do të jenë të pranishëm në ceremonitë e festimit të 28 Nëntorit.

“Për festat janë gjithmonë të pranishëm… Do të jenë në ceremonitë në Vlorë dhe pastaj në kalendarin e festimeve në Tiranë”, tha Hasa.

Kurti tha sot para gazetarëve se sonte do të jetë në Tiranë “për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do t’i japin edhe çmimet përkatëse”.

“Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për panumër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar”, tha ai.

Kurti nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të takohet me Ramën.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu deri tani nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës për agjendën e Kurtit në Shqipëri.

Më 12 tetor ishte hera e fundit që Kurti shkoi në Tiranë. Shkoi për ta parë në stadium ndeshjen e Kombëtares Shqiptare të futbollit kundër Çekisë në kuadër të kualifikimeve për Europianin e vitit të ardhshëm. Aty ishte edh Rama, por ata e ndoqën ndeshjen të distancuar. Kryeministri shqiptar pati thënë se nuk e dinte që kryeministri i Kosovës do të shkonte atje.

Marrëdhëniet mes dy kryeministrave nuk janë të mira, pasi Rama ka pasur qëndrim goxha kritik për sjelljen e Kurtit në dialogun me Serbinë dhe në raport me ndërkombëtarët, duke e akuzuar se e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *