Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të Kosovës, për anëtarësim në këtë organizatë.
Konjufca, mes tjerash theksoi se dita e sotshme shënoi me sukses fazën e dytë drejt Këshillit të Evropës.
“Sot jemi vetëm një hap larg anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës”, shkroi Konjufca.
“U shmangën kushtëzimet shtesë dhe amendamentet që do t’ia vështirësonin rrugën Republikës së Kosovës drejt Këshillit të Evropës”.
“Me shumicë dërmuese sot Kosova mori një konfirmim nga Këshilli i Evropës, nga miqtë e aleatët tanë se institucionet tona janë demokratike”.
“Dita e sotshme shënoi me sukses fazën e dytë drejt Këshillit të Evropës. Besojmë dhe angazhohemi fort që një ditë e tillë të përsëritet në ministerialin e ardhshëm në maj, ku Kosova të anëtarsohet me të drejta të plota, e barabartë mes të barabartëve në Këshillin e Evropës!”.
“Urimet shkojnë për të gjithë popullin e Kosovës!”.