Pejë: I mituri kapet në flagrancë me armë në brez, arrestohet nga Policia

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, që jo rrallëherë dalin të jenë edhe të mitur.

Një rast i tillë është zbuluar të enjten në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Pejë, ku Policia ka ndalur një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Bëhet fjalë për një 17-vjeçar, i cili është kapur në flagrancë me armë në brez, të cilën e mbante pa autorizim.

Arma që iu gjet është sekuestruar, ndërsa i mituri është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *