Një burrë nga Iowa e SHBA-së ishte aq i emocionuar për çmimin prej 500 mijë dollarëve që e kishte fituar nga një biletë lotarie, sa që ai e la aksidentalisht çmimin në dyqan.
Kevin Frey “u pushtua” nga emocionet kur e mori vesh se e kishte fituar çmimin kryesor.
“Unë po dridhesha shumë atëherë”, tha Frey, duke nxituar ta thërrasë familjen e tij në parking.
“Isha aq i emocionuar dhe i tronditur sa lashë biletën brenda dyqanit dhe dola te vetura e fillova t’i telefonoja të gjithëve, gruas sime dhe të gjithë të tjerëve”, tha ai.
Frey e kuptoi se nuk e kishte biletën vetëm kur djali i tij i kërkoi të dërgonte një foto të saj, transmeton Telegrafi.
“Dhe më pas e kuptova, nuk e kam! Është në dyqan. Fatmirësisht, unë isha ende në parkingun e dyqanit dhe vrapova përsëri brenda dhe i kërkova punonjëses biletën”, shpjegoi Frey.
Bëhet e ditur se paratë e fituara amerikani do t’i shpenzojë gjatë pensionimit të tij.