Haradinaj në takim me Rrahman Jasharajn: Kjo qeveri që prej fillimit të saj goditi mësimdhënësit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e SBAShK-ut të prirë nga kreu i saj, Rrahman Jasharaj.

Haradinaj ka thënë se kontratat e reja të punës që po ju ofrohen mësimdhënësve, janë goditja e radhës për ta.

“Në takim të përbashkët me përfaqësuesit e SBAShK-ut, kryetarin Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë, pranova shqetësimet e tyre për kontratat e reja të punës që po ju ofrohen mësimdhënësve, një goditje e radhës për ta nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kjo formë e kontratës e godet rëndë tërë sistemin arsimor para universitar dhe si e tillë është e pazbatueshme për shkak që nuk i përshtatet specifikave të punës së mësimdhënësve”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se Qeveria me këtë qasje armiqësore përveç që i ka goditur financiarisht ka cenuar edhe dinjitetin e tyre.

“Fatkeqësisht kjo qeveri që prej fillimit të saj nuk ka qenë aleate e mësimdhënësve. Me qasje armiqësore përveç që i ka goditur financiarisht ka cenuar edhe dinjitetin e tyre. Unë personalisht dhe Aleanca, kemi respektuar gjithmonë misionin e Sindikatës në mbrojtjen e interesave të mësimdhënësve. Si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi punuar në vazhdimësi, që mësimdhënësit të jenë të vlerësuar dinjitetshëm”, është shprehur Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *