Nagip Krasniqi ish-kryeshefi i KEK-ut më nuk është në burg, lirohet nga Gjykata

Është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Të njëjtit masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar KEK-ut dhe personave të punësuar në këtë korporatë, në afërsi prej 50 metrave.

Lajmi është konfirmuar për mediat e Kosovës nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Pas arrestimit, pezullohet nga detyra kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, shkruan Telegraf, transmeton gazeta ‘Neutral’.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me masën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë”, thuhet në përgjigjen e Gashit. Nagip Krasniqi është arrestuar nga Prokuroria Speciale më 19 prill të këtij viti. Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut e ka pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *