Eksklusive Kjo është vetura e Burdushit të cilën e mori ministri Sveçla

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB),në shtator të këtij viti është pajisur me një veturë të tipit LAND Range Rover, veturë kjo e cila ishte konfiskuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, shkruan Gazeta Neutral.

Gazeta Neutral përmes burimeve të saj merr vesh se vetura të cilën dikur e kishte në shfrytëzim Burdushi, tashmë ka rënë në “duart” e ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla.

Kjo veturë së bashku edhe me dy të tjera, i takonin Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, të cilat iu konfiskuan pas arrestimit të tij.

“MPB për shkak të mungesës së veturave ka kërkuar nga agjencia dy vetura dhe kërkesa jonë është aprovuar për një veturë që tashmë është në përdorim nga Ministria, sipas dispozitave të parapara ligjore”, kishte thënë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi muaj më parë.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar Burdushin që më 18 shtator 2023 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

/GazetaNeutral/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *