Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, ka thënë se po pret që të shohë saktësisht se si është organizuar sulmi në veri, teksa ka theksuar se ajo që është temë qendrore në këtë fazë, është dialogu.
Guerot ka thënë se para vendosjes së pasojave të mundhsme, po priten hetimet se si u organizua sulmi.
“Tani duhet të shikojmë saktësisht se si u organizua ky sulm. Tashmë ka diskutime mes partnerëve përkatës dhe këtu nuk mund të them më shumë për pasojat e mundshme për aktorët e këtij sulmi”, ka thënë ai për televizionin publik.
Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të vazhdojë. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë përpara.
“Rruga përpara është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për këtë ne po punojmë shumë”, tha ai.
Guerot tha se në kuadër të procesit të dialogut, fokusi duhet të jetë te marrëveshja dhe zbatimi i saj.