DOKUMENT| Akademia e Shkencave me buxhet milionësh, paguan taxi për udhëtime jashtë vendit me shtrenjtë se çmimet e operuesit

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila ka mbi 1 milion euro buxhet të ndarë nga shteti, ka porositur 3 taxi në vlerë prej 960 euro për dy udhëtime, një nga Prishtina në Tiranë dhe një tjetër nga Prishtina në Podgoricë dhe anasjelltas.

Siç bëhet e ditur në kontratën e publikuar në KRPP, ASHAK ka nënshkruar kontratë për 3 taxi për udhëtime jashtë Kosovës. Megjithatë, çmimi për këto udhëtime del të jetë me i lartë se sa çmimet me të cilat operon kompania e cila e ka fituar tenderin, shkruan Ballkani.info.

Tenderin për këto shërbim e ka fituar kompania “Electric Mobility L.L.C (ETAXI)” me një çmim prej 960 euro.

Mirëpo, nga ajo që ka parë Ballkani.info, një udhëtim nga Prishtina në Tiranë përmes kësaj kompanie kushton 120 euro, ndërsa nga Prishtina në Podgoricë kushton 150 euro. Që i bije që shuma që ka paguar ASHAK përmes kontratës në KRPP, është më e lartë për 180 euro.

Sipas llogaritjeve, një udhëtim me dy taksi Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas kushton 480 euro, ndërsa një udhëtim Prishtinë-Podgoricë dhe anasjelltas kushton 300 euro, që në total i bie 780 euro, 180 euro më lirë se sa çmimi me të cilin është nënshkruar kontrata, shkruan Ballkani.info.

Siç bëhet e ditur në kontratë e publikuar në KRPP, ASHAK për udhëtimet në Tiranë ka kërkuar dy taksi, ndërsa në Podgoricë një taxi.

Ndryshe, ky institucion ka buxhet vjetor në vlerë prej mbi 1 milion eurove.

Kuvendi i Kosovës në buxhetin për vitin 2023, për Akademinë kishte dedikuar fiks  1,196,159 euro. Nga to, 715,159 euro ishin planifikuar për subvencione dhe transfere, 320,000 euro për mallra dhe shërbime, 156,000 euro paga dhe mëditje dhe 5000 euro për shërbime komunale.

Në dokumentin e buxhetit të Kosovës, figurojnë 20 persona si të punësuar me orar të plotë nga ora 08: 16:00 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që si pozita ka nëpunës për shërbime admistrative, profesionale e teknike. Përpos drejtorit, organogrami i tyre vijon me sekretarin e  akademisë, drejtorin për buxhet dhe financa, drejtorin e  departamentit të Bibliotekës dhe Arkivave, drejtorin e prokurimit, zyrtarë certifikues, zyrtar i lartë për botime, vozitës, etj.

Bazuar në buxhetin e ndarë për vitin 2023 (paga dhe mëditje), paga e tyre sillet afro 700 euro në muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *