A kishte shkelje të procedurës me rastin e arrestimeve lidhur me Rezervën shtetërore? Avokati, Ardian Bajraktari thotë se i gjithë aksioni i policisë që ndodhi ditën e premte është veprim normal hetimor.
“Të pandehurve fillimisht u është caktuar masa e ndalimit që brenda afatit prej dyzet e tetë (48) orëve, të njëjtit janë sjellë para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë, sipas kërkesës së Prokurorit. Këto janë veprime normale hetimore”, tha Bajrakati.
Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic foli edhe për nenet të cilat e sanksionojnë këtë shkelje të supozuar.
Ai tha se sipas ligjit, “Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë ( vjet, e kur Personi zyrtar që e kryen këtë vepër dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5.000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet”, tha ai.
E dënimi për ndihmësit, çfarë mund të jetë?
“E sa i përket ndihmës në kryerjen e një vepre penale, atë e rregullon neni 33, i Kodit Penal, i cili ndër të tjera përcakton se: “Kushdo që me dashje ndihmon personin tjetër për kryerjen e veprës penale dënohet më dënim më të butë sesa kryesi i veprës. Ndihma për të kryer një vepër penale përfshin, por nuk kufizohet në: dhënien e këshillave ose udhëzimeve se si të kryhet vepra penale; vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale….”.
“Këtë vepër penale mund ta kryej çdo kush, i cili me dashje përmes cilido nga veprimet inkriminuese lista e të cilave veprime nuk është shteruese, i ka ndihmuar dikujt për të kryer një vepër penale, dhe natyrisht se ndëshkimi i ndihmësit është më i butë”, thotë Bajraktari.
Ai thotë se procesin e dëmton potencimi i emrave të zyrtarëve që merren me çështjen.
“Po, potencimi i emrave të zyrtarëve që merren më çështjen mund t’i nënshtrohen presionit publik, opinionit dhe faktorëve jorelevantë për çështjen. Kontribut për një proces të rregullt gjyqësor nga bartësit e përgjegjësive institucionale mund të jepet duke u rezervuar së cekuri emrat qoftë të gjyqtarëve apo prokurorëve. Theksimi i emrave të cilët merren me çështjen më së paku ju takon eksponentëve të pushtetit”, tha Bajrakatari për GazetaBlic.
Kujtojmë se, Policia e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe Ridvan Muharremin, i cili është pronar i restorantit “Bukë e zemër”.
Zyrtarë nga PDK e AAK kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari që hetimet të vazhdojnë të papenguara.
/GazetaBlic/