Për rreth tre ore ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku dyshohet se kishte goditur me veturë një fëmijë.
Pas seancës e cila vazhdoi të mbahej e mbyllur për media dhe publikun, avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, deklaroi se është konstatuar se nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit.
“Ashtu siç ishte përcaktuar paraprakisht, seanca u mbajt pa praninë e mediave, ndonëse Gjykata kishte marrë vendim kjo seancë’ sërish u mbajt pa praninë e medieve. Seanca e radhës është caktuar për të premten në ora 14”.
“Sot janë marrë në pyetje grupi i ekspertëve. Fillimisht nga ana e avokatit të Hajdarit dhe nga ne. Ata kanë deklaruar atë që e keni parë në ekspertizë, sepse ekspertët e mbështesin ekspertizën që e kanë konstatuar dhe normalisht ne i kemi pasur vërejtjet në mos gjendjen teknike të automjetit. Kjo ka qenë detyrë e policisë që kjo të bëhet kur ka aksidente. Ashtu siç është konstatuar, nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit dhe kjo është konstatuar nga ekspertët në ekspertizën e tyre”, deklaroi ai.
Ndërsa, ministrja Hajdari nuk pranoi që të fliste.