Edhe sot pushteti e ka bojkotuar seancën ku pritej të diskutohej rezoluta në mbështetje të Policisë.
Si pasojë, rezoluta nuk ka dalur në votim pasi s’ka pasur kuorum. Në seancë kanë qenë vetëm 28 deputetë.
DEBATI
Lëvizja Vetëvendosje sërish e ka bojkotuar seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohet Rezoluta për Policinë e Kosovës. Kjo është hera e dytë që partia në pushtet e bojkoton një seancë të tillë, e cila ka për qëllim përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës.
Për më tepër, në kohen e mbajtjes së kësaj seance, VV-ja kishte zgjedhur të flasë krejt për diçka tjetër në një ambient tjetër të Kuvendit.
Derisa deputetët e opozitës në sallën e kuvendit flisnin për kushtet e renda të policisë, deputeti i VV-së, Armend Muja, fliste për anomalit në ujësjellës në një konferencë për media.
Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së kanë kritikuar ashpër VV-në për bojkotimin e seancës.
Sipas tyre, kjo flet se pushteti nuk është i interesuar për përmirësimin e kushteve për policinë.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili e ka prezantuar rezolutën për policinë, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë rezolutën.
“Si është e mundur që këta polic t’i ndihmojnë komunitetit kur ata vet kanë nevojë për sigurime shëndetësore. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës statistika të moshës së policëve, dhe janë: nga mosha 55-56 janë 1 166 policë, nga mosha 58-65 janë 1 067 policë, nga mosha 60-65 janë 703 policë. Së bashku duhet të flasim me policët e Kosovës, me menaxhmentin dhe qeverinë dhe të konstatojmë se cilat janë nevojat e tyre. Është shumë e nevojshme që të kemi policë më të rinj në moshë. Sa më e re mosha në polici aq më të përgatitur do të jenë sikur rasti i sulmit terrorist në Basnjkë”, ka thënë Qalaj, i cili ka qenë edhe komandat i policisë.
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka kritikua VV-në se përmes këtyre veprimeve po nxit përçarje në shoqëri.
“Kur ne flasim për nevojat elementare esenciale për pjesëtare e tyre [Policisë], na mungon mazhoranca të cilët verbalisht ishin në përkrahje të tyre, e sot nuk shprehen gatishmërinë që nga opozita të dëgjojnë se si të përmbushen nevojat e tyre”, është shprehur Quni.
Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka akuzuar VV-në për përçarje.
Ai ka thënë se përmes propagandës Qeveria Kurti e ka përçarë shoqërinë kosovare.
“Ky aparati i shamjeve që ka krijuar përçarje në popull, është si “Iron Dome” që e kanë bo shtet për siguri. Ky është për me sha rafall. Kaq ka bo kjo qeveri. Ka rrit me sjell përçarje në popull që nuk mbahet mend ndonjëherë. Në vend që këtë aparaturë me ia kthy Serbisë në këtë kohë, ia kthen opozitë”, ka thënë Berisha.
Kurse, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka thënë se bojkotimi i kësaj seance nga VV është një grusht shtetit që bëhet kundër institucioneve të vendit.
Sipas tij, këto veprime dërgojnë mesazhe destabilizimi.
“Ky është një lloj grushtshtetit që bëhet kundër institucioneve. Kemi parë grushtshtete që bëhet nga opozita. Siguria po goditet dhe jo rastësisht kemi parë grupe nga Serbia që kanë marrë guximin të futen. E kanë bërë këtë sepse kanë parë dobësimin e institucioneve të sigurisë. Këto veprime çojnë mesazh për destabilizim”, ka thënë Humolli.
VV-ja flet për ujin
Seanca e sotme është bojkotuar nga deputetët e VV-së.
Në kohen kur kishte filluar kjo seancë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, kishte thirrur një konferencë për media për të folur për anomalit e ujit në disa ujësjellës.
Duke prezantuar raportin e autoriteti rregullativ i ujit, ai ka thënë se raporti tregon për cilat ujësjellës bëhet fjalë.
“Dje kemi marrë raportin nga autoriteti rregullativ i ujit. Ne kemi vërejtur anomali sa i përket ujit të prodhuar në disa ujësjellës. Uji në ujësjellësin e Prizrenit është nënraportuar. Pas instalimit të ujëmatësve është kthyer prodhimi i ujit si ka qenë më herët”, ka thënë Muja, duke treguar detaje tjera.
“Te Peja, te Prizreni më 2021, 17 milionë litra ujë, kurse pas instalimit të ujëmatësve është pothuajse dyfishim i prodhimit. Në bazë të tendencës së përllogaritur të ujit.. dëmi e kap shifrën vjetore 6 milionë euro. Apo në 10 vitet e fundit, 60 milionë euro pa kalkuluar dëmet në të tjera”, ka thënë ai.
Përmes rezolutës së prezantuar, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.
PDK kërkon që brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit.
Sipas kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat, të bëhen me sigurim shëndetësor dhe të mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.