Kanë përfunduar bastisjet e Policisë së Kosovës në dy komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok të cilat kanë të bëjnë me sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Bansjkë të Zveçanit.
Lajmin për Neutral.al e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, pas kryerjes së bastisjeve nuk ka persona të arrestuar.
I pyetur nëse ka ndonjë konfiskim apo sekuestrim, Elshani tha se nuk ka dijeni pasi siç u shpreh ai “bastisjet janë kryer nga Prishtina dhe njësia e veriut veçse ka asistuar”.
Ndryshe, më 24 shtator, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Deri tash është konfirmuar se tre prej sulmuesve janë vrarë, ndërsa ministri Sveçla ka thënë se kanë indikacione që numri i tyre është më i madh. Shumica e sulmuesve arritën që të ikin maleve e të kalojnë në Serbi.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq.
/Gazeta Neutral.al/