Janë rikthyer në punë shtatë punonjësit e Spitalit të Pejës që u suspenduan në dhjetor të vitit të kaluar, nën dyshimin se kanë futur një fetus në lavatriçe. Kjo është konfirmuar për Gazetën Express nga Spitali i Pejës. Rasti pati ndodhur më 14 dhjetor të 2022-ës
Një rast tronditës pati ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar në Spitalin e Pejës. Trupi i pajetë i një fetusi u fut në lavatriçe nga punonjësit e spitalit gabimisht. Rasti u bë publik disa ditë më vonë nga prindërit. E masa u ndërmorën menjëherë.
Nga Spitali i Pejës patën njoftuar se menjëherë u seuspenduan katër mami, dy punëtorë të shërbimit teknik dhe një mirëmbajtëse.
E të njëjtit janë rikthyer sërish në punë.
“Po janë rikthyer”, ka konfirmuar shkurtimisht sot për Gazetën Express nga Spitali i Pejës.
Si ndodhi rasti në Pejë?
Më 22 dhjetor 2022, babai i fetusit pati rrëfyer për Express, se e ka pa me sytë e tij një punonjës të spitalit teksa ka mbledhur “copat” e fetusit pas futjes në lavatriçe.
“Ka lind normal, po të nesërmen masi kemi dashtë me marrë foshnjën, prej moskontrollit dhe papërgjegjisë së punës e kanë fut në lavatriçe edhe është i dëmtuar komplet, copa-copa e kemi pa duke i mbledh. Në maqinë sa ka nejt nuk e di, por masi e kemi marrë atë trup unë nuk e di hala a është komplet çdo gjë e tij, kompet copë-copë, sikur kafshata-kafshata”, pati thënë prindi i foshnjës për Express.
Ai rrëfeu se kur kishte shkuar për ta marrë trupin e pajetë të foshnjës në orën 12:00 me datën 14 dhjetor, por arritën ta marrin vetëm pas insistimit prej pesë orësh. E pasi e kanë marrë, ai deklaron se infermieret në Gjinekologji e kanë rekomanduar që mos ta lajmërojë rastin në polici.
“Me datën 14 u hap rasti në polici, kemi pas me marrë në orën 12:00 me bë varrimin. E morëm foshnjën pas 5 orësh që e kemi pas të caktuar me marrë.E kemi marrë foshnjën me një kuti, në mënyrë mizore dhe e kemi dërgu për varrim. Policinë e kemi njoftu kur kemi shku me marrë foshnjën, e pam që po ikun prej përgjegjësisë dhe po na shtyjnë marrjen e foshnjës, qaty kemi dyshu. Edhe vazhduam poshtë sepse i pam lëvizjet e punonjësve aty, vazhduam prapa tyre dhe e pam që u shku njeri te lavatriçja dhe është duke i mbledhë copat e foshnjës, prej aty jemi kthy nalt në gjinekologji dhe e kemi lajmëru rastin në polici, na bojshin motrat që mos e lajmëroni rastin. Ne e kemi lajmëru rastin ka ardhë prokuroria dhe inspektorati i Shëndetësisë” u shpreh ai.
I njëjti shtoi se foshnjën e kanë varrosur, teksa i pati ftuar organet përgjegjëse që të merren me këtë rast.
Express ka provuar të kontaktojë me Prokurorinë Themelore në Pejë për rrjedhën e hetimeve, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.
Pas këtij rasti, Ministria e Shëndetësisë pati marr vendim që ta lirojë nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.