Kryetarët në veri kanë thënë se nuk ka kushte për zgjedhje të reja

Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut kanë deklaruar se nuk është në planet e tyre dorëheqja nga pozita e të parit të komunave veriore. Një kërkesë e tillë është bërë ditë më parë nga Lista Serbe, por kryetarët shqiptarë thonë se nuk ka interesim as nga serbët lokalë që të marrin pjesë në një proces të ri elektoral.Shtimin e presionit nga ndërkombëtarët për shtensionimin e situatës në veri, ku ndër kërkesat është edhe mbajtja e zgjedhjeve në katër komuna me shumicë serbe, nuk po e ndiejnë kryetarët aktualë. Ilir Peci, kryetar i Komunës së Zveçanit, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare për ta bërë këtë.“Neve ende nuk na u ka dorëzu diçka zyrtarisht me dhënë dorëheqje, as nga Qeveria e Republikës së Kosovës, as nga ndërkombëtarët. Tash, deri sa nuk na vjen diçka zyrtarisht ne po besoj që është shumë herët me dhënë një mendim të tillë”, ka thënë Peci, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.

Edhe kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se nuk ka kushte për zgjedhje të reja.

“Pa marrë parasysh në çfarëdo varianti të ligjshëm mund të shkojmë, mirëpo për momentin nuk ka kushte për zgjedhje. Unë nuk po e shoh që ka ndonjë interesim edhe ashtu qoftë nga Qeveria, apo edhe nga ne, natyrisht ne jemi duke punuar, që të kemi zgjedhje tani për tani”, është shprehur Zeqiri, po ashtu anëtar i PDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *