Seanca gjyqësore ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari lidhur me rastin ku ishte aksidentuar një vajzë e mitur, ka qenë e mbyllur për publikun. E pranishme në seancë ishte edhe ministrja Hajdari së bashku me avokatin e saj.
Ekipi i gazetës Neutral.al ka qëndruar rreth 4 orë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pas përfundimit të seancës së mbyllur, Rozeta Hajdari nuk ka pranuar të prononcohet në lidhje me rastin.
Edhe seancën e kaluar gjykatësi, Shaqir Mazreku, ka marrë vendim që seanca ndaj ministres Hajdari të mbahet e mbyllur. E gjithë kjo pas kërkesës së avokatit të palës së akuzuar që seanca të mbyllet për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Kujtojmë se më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari.
Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.
/Gazeta Neutral.al/