Skandal në ministrinë e Sveçlës, shefi i prokurimit vendos krye në veti për tenderin milionësh të targave

Një rast i paprecedent ka ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla.

Fjala është për tenderin për Furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve, me vlerë rreth dy milionë euro.

Vlerësimi i këtij tenderi është bërë personalisht nga ushtruesi i detyrës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit Agim Islami, i cili pa respektuar procedurat ligjore dyshohet se ka bërë njoftim se ka shpallur fitues te këtij tenderi një operator të papërgjegjshëm.

Paparaci ka arritur te sigurojë një e-mail ku shihet se vetëm me një shkrese është kryer e gjithë procedura e vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve dhe është bërë edhe rekomandimi për dhënie të kontratës nga ky zyrtar i MPB-së.

Në këtë e-mail, që u.d. i shefit të Prokurimit në MPB ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, ai nxjerrë vendim përfundimtar për shpalljen e fituesit të tenderit duke shpërfillur raportin e komisionit për rivlerësim të ofertave

Dy anëtarë të komisionit për rivlerësim, nga tre gjithsej, kanë rekomanduar anulimin e tenderit. Por, janë shpërfillur nga u.d. i shefit të Prokurimit

“Duke u bazuar në gjendjen faktike të lëndës dhe bazuar në nenin 39.11 ku thuhet se vendimi përfundimtar mbi dhënien e kontratës mbetet përgjegjësi e zyrtarit përgjegjës të prokurimit, ju njoftoj se kam nxjerr vendim mbi dhënien e kontratës duke shpallur fitues të këtij aktiviteti Grupin e Operatorëve Ekonomik EGOELSA ShPK- Prishtinë dhe Rade Konçar – Shkup, ofertë e vetme e përgjegjshme për aktivitetin e prokurimit ‘Furnizim me targa për regjistrim të automjeteve’”, thuhet në shkresën e Islamit, dërguar Fahrije Tërnavës, Sekretares së MPB-së.

Paparaci, nga burime brenda Ministrisë, ka marrë vesh se ky proces është udhëhequr me presione dhe ndikime te shumta nga Agim Islami, “i cili vazhdimisht ka bërë presion për shpalljen fituese te kompanisë së preferuar prej tij”.

Gjithashtu, për këtë tender mësohet se të përfshirë janë edhe sekretarja e kësaj ministrie Fahrije Ternava dhe këshilltarja politike e ministrit Vlora Gojani. Ata kanë qenë të informuar për procesin e dyshimtë tenderues.

Operatorët tjerë pjesëmarrës në këtë tender tashmë kanë paraqitur ankesat e tyre pranë Gjykatës së Tenderëve (OSHP), nga ku pritet te evidentohen shkeljet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Paparaci është në pritje të sigurimit edhe të disa informacioneve të tjera për lëndën dhe do të informojë opinionin publik lidhur me këto parregullsi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *