Policia e Shkodrës arrestuar gazetarin dhe administratorin e portalit Shkodra News, Robert Staka, 37-vjeç, për kanosje dhe dhunë ndaj babait të tij.
Gjatë kontrollit në banesën e 37-vjeçarit, policia gjeti një armë imituese. Gjithashtu gjatë verifikimeve ka rezultuar se 37-vjeçari në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Dhuna në familje”, “Fyerja”, “Shpifja”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, njofton Policia.
“Konflikti me të atin ishte për çështje të banesës. Toka ku është banesa i është lënë në emër të tij ndërkohë që shtëpia ku banon i ati është në pronësi të tij. Këtu siç duket kanë lindur konfliktet që kanë çuar deri në përplasje fizike, çka shihet në videon që ai ka postuar vetë në portalin e tij Shkodra News, në momentin kur ka ardhur edhe urdhri i mbrojtjes dhe ku ndodheshin edhe oficerët e policisë, si dhe baabi i tij që shihet i dhunuar. Kjo është situata, ai është arrestuar dje nga policia e Shkodrës dhe me urdhër të Prokurorisë, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza.”, raportoi Shkreli