Publikohet Udhëzimi Administrativ për zgjedhjet në veri: Qysh mund të largohen kryetarët e komunave?

Zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të vendit, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, mund të mbahet vetëm me anë të peticionit për largimin e kryetarëve shqiptarë ose me dorëheqjen e tyre. E derisa kryetarët të këtyre komunave nuk po japin dorëheqje, Qeveria e Kosoëvs ka përgatitur një Udhëzim Administrativ që rregullon iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit.

Kërkesë kryesore e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatë në veri është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

E këto zgjedhje janë paralajmëruar se mund të mbahen në muajin shtator, por fillimisht duhet të ndodhë largimi i kryetarëve aktual.

Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka hartuar një Udhëzim Administrativ, në të cilin rregullohet mënyra për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Çka thuhet në Udhëzimin Adminstrativ?

Ekonomia Online ka publikuar Udhëzimin Administrativ i cili përmban shtatë nene dhe ka për qëllim “përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativave të qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”.

Neni 4 i këtij Udhëzimit Administrativ flet për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.

Në këtë nen thuhet seinicimin e kërkesës mund ta bëjë vetëm një qytetar, mirëpo që kërkesa të jetë e shqyrtueshme, duhet të jetë e nënshkruar nga së paku 20% e votuesve të regjistruar.

“Kryesuesi i kuvendit të komunës jo më vonë se tre (3) ditë pune nga pranimi i njoftimit nga personi përgjegjës, njofton personin përgjegjës me numrin e votuesve të regjistruar në atë komunë si dhe i përcjellë dokumentacionin përcjellës si dhe mban të informuar Ministrinë. Në rast se Kryesuesi i Kuvendit komunal nuk vepron brenda afatit të caktuar në paragrafin 4 të këtij neni, Ministria brenda dy (2) ditë pune njofton personin përgjegjës me numrin e votuesve të regjistruar në atë komunë si dhe i përcjellë dokumentacionin përcjellës. Komuna, përkatësisht Ministria, nga momenti i pranimit të kërkesës kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numrin e votuesve të regjistruar për komunën përkatëse, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej njëzet (20%) për qind.” – thuhet në UA.

Ndërkaq, neni 5, thekson se në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Gjithashtu, neni 5 parasheh edhe se iniciativa qytetare më së largu tridhjetë (30) ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve.

Sipas Udhëzimit, nënshkrimet mund të mblidhen në formë fizike, mirëpo nëse është nevoja ato mund të mblidhen edhe në mënyrë elektronike.

“Nëse për shkak se konstatohet se nuk është arrit numri minimal prej 20% të votuesve të regjistruar, atëherë iniciativës qytetare i jepet mundësia e plotësimit të kërkesës me nënshkrime shtesë në afatin prej dhjetë (10) ditësh. Në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.” – thuhet në Nenin 5 të këtij UA.

Ndërkohë, ky Udhëzim Administrativ është kritikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që sipas tyre i udhëzimit administrativ i tejkalon kompetencat ligjore.

“Specifikisht, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar. Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Largimi i kryetarëve nga komunat veriore me peticion ishte forma e përkrahur nga kryeministri, Albin Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *