Kuvendi i Kosovës nuk e ka votuar rezolutën për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në seancën e sotme të kuvendit, pro kësaj rezolute që ishte propozuar nga PDK-ja ishin vetëm dy deputetë, një ishte kundër kurse 58 të tjerë abstenuan.
Rezoluta e PDK-së ishte tri pikëshe, ku në pikën e parë, sipas rezolutës, obligohej qeveria që në afat prej 30 ditës të hartojë plan konkret për adresimin e gjetjeve të raportit të DASh-it.
Në pikën e dytë thuhej se “Plani nga pika I e kësaj rezolute duhet të përmbajë masa dhe veprime konkrete për secilën gjetje të raportit si dhe afatin për përmbushjen e tyre nga institucionet respective”.
Kurse, në pikën tre, me anë të rezolutës kërkohej nga qeveria që brenda afateve objektive të raportojë në kuvend për implementimin e masave.
Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.