Sa herë del në media, Florin Krasniqi, ish-deputet i VV-së, bën deklarata të forta kundër ish-partisë së tij, të cilën edhe e kishte financuar për një kohë. Biznesmeni shqiptaro-amerikan, i njohur si “Pullazxhiu” për shkak të financimit të UÇK-së, dje rrëfeu për një histori goxha simptomatike. Çfarë tha Krasniqi?
Gjatë emisionit “Pressing” të T7, Krasniqi foli për tendencën kontrolluese të VV-së dhe luftës së saj për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Madje, Krasniqi pretendoi se gjatë pushtetit të VV-së, ish-partisë për të cilën edhe ishte rrahur me PDK-në, është tentuar t’i mbyllet një hidrocentral.
Krasniqi ka pasur cilësime të ashpra ndaj VV-së, duke i quajtur “palaço” e të “pafytyrë”. Tutje, Krasniqi ka treguar se inspektorët ishin te hidrocentrali.
“Unë e kam rreziku jetën tem me i mbrojtë këta palaço. A e di çfarë kanë bërë Baton? Kanë ardhur, kanë marrë vendim me ma ndal hidrocentralin, që është ndërtu të ’32…E mbaj hapur me vendim gjyqi, sepse i kanë çu inspektorët me ma mshel, e keqja nuk ka kufi. Unë jam kap, jemi rreh me PDK-në, nuk ma kanë mshel hidrocentralin, as biznesin. Jena rreh, jena sha, jena fy, nuk më kanë ataku personalisht. Këta palaço, këta të pafytyrë kanë ardhur me ma mshel hidrocentralin që është maru në vitin 1932, me ma mshel pa leje.” – tha mbrëmë Krasniqi, ish-deputeti i zëshëm i VV-së.