Gazetari serb thotë se Vuçiq e ka kthyer diktaturën: Ku është BIA kur pushtetarët e Serbisë shfaqen në shoqërinë e kriminelëve?

Kur shërbimi sekret fillon të ndërhyjë në liritë tona dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, ne nuk flasim më për demokraci, mund të flasim vetëm për shkallën e diktaturës”, tha gazetari Branko Çeçen, duke komentuar protestat e djeshme të fermerëve gjatë të cilave disa prej tyre u ndaluan nga BIA.

Protestat e fermerëve janë mbajtur dje në Serbi dhe disa prej tyre janë ndaluar nga Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA). Në mesin e tyre është edhe Sllobodan Vidojeviq, i cili ka deklaruar se një grup njerëzish, pa shenja policore apo urdhër, e kanë futur me forcë në një furgon të zi dhe e kanë dërguar në ambientet e BIA-s në Çaçak për një intervistë informative, e cila sipas tij zgjati rreth dy orë.

Shumë pak njerëz e kuptojnë se detyra e BIA-s nuk është të arrestojë qytetarët tanë, përveç nëse ata janë të përfshirë në një lloj spiunazhi ose ndonjë krim jashtëzakonisht të dëmshëm. Edhe nëse është e vërtetë ajo që pretendojnë disa politikanë, se në ato protesta janë përfshirë disa njerëz që nuk janë fermerë, sërish nuk është punë e BIA-s dhe është e frikshme që BIA po e bën. Sepse, kur shërbimi sekret fillon të ndërhyjë në liritë tona dhe të drejtat njerëzore dhe qytetare, ne nuk flasim më për demokraci, mund të flasim vetëm për shkallën e diktaturës”, tha Çeçen.

Ai shtoi se edhe policia, edhe kur bëhet fjalë për shkeljen e ligjit, nuk duhet të ndalojë qytetarët në atë mënyrë.

“Ky nuk është qartazi vetëm një abuzim i policisë dhe BIA-s – të cilin ne kemi qenë dëshmitarë që nga fillimi i kësaj qeverie, por këtu jemi dëshmitarë të një arrogance të madhe në atë abuzim”, tha Çeçeni.

Ai kujtoi se përfaqësues të shquar të pushtetit shpesh shfaqen në shoqërinë e kriminelëve.

“Atëherë ku është BIA? A nuk është e tmerrshme që kriminelët bashkëpunojnë me përfaqësuesit e pushtetit? Kjo është shumë më e frikshme se dikush që pretendon të jetë fermer”, tha Branko Çeçen.

Ai tha se “kazani” në Serbi është shumë i ngjashëm me Bjellorusinë dhe Rusinë.

“Një kazan në të cilin kur dikush vendos të protestojë, thonë – do ta lëmë të shkojë pak, dhe pastaj do të arrestojmë aktivistët që e kanë udhëhequr, për t’i prerë ato protesta… Ata do të vazhdojnë ta bëjnë, do të kemi gjithnjë e më pak të drejta … Dhe në fund secili prej nesh do të duhet të marrë një vendim, jo ​​nëse do të angazhohemi, por deri ku do të shkojmë në atë angazhim dhe çfarë çmimi do ta paguajmë më pas për të“, përfundoi gazetari Branko Çeçen për N1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *