Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara po dëgjon të enjten argumentet për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump duhet të përjashtohet nga pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Atë ditë një turmë përkrahësish të ish-presidentit, që besonin pretendimin e tij, se rezultati i zgjedhjeve të nëntorit 2020 ishte manipuluar, sulmuan Kongresin në përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të certifikonin fitoren e presidentit Joe Biden.
Në një çështje tjetër ligjore, në fillim të kësaj jave, një gjykatë federale e apelit hodhi poshtë pretendimin e zotit Trump se ai ka “imunitet absolut” dhe nuk mund të gjykohet për akuzat penale për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020. .
Ish-presidenti Trump ka gjasa ta apelojë edhe këtë çështje në Gjykatën e Lartë. Ai thotë se paditë e ndryshme penale dhe civile të ngritura kundër tij janë pjesë e një “gjuetie shtrigash” të zotit Biden për të eliminuar një kundërshtar politik – një pretendim që Shtëpia e Bardhë dhe demokratët e mohojnë.
Mund të kandidojë zoti Trump?
Çështja që po shqyrton Gjykata e Lartë, ka në qendër pyetjen nëse zoti Trump duhet të ndalohet të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake në Kolorado, sipas pikës 3 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Gjykata e Lartë e Shtetit të Kolorados ka vendosur që zoti Trump nuk ka të drejtë të vërë kandidaturën pasi ai ka qënë pjesëmarrës në rebelim. Por zbatimi i vendimit të Kolorados është pezulluar në pritje të vendit të Gjykatës së Lartë.
Pala akuzuese thotë se zoti Trump u përpoq të ndalonte transferimin paqësor të pushtetit dhe për këtë arsye duhet t’i ndalohet të mbajë sërish postin e presidentit.
Pika 3 e amendamentit të 14 u hartua në vitin1866 pas përfundimit të Luftës Civile për të parandaluar kthimin në pushtet të zyrtarëve të Konfederatës, që u shkëputën nga Shtetet e Bashkuara, për të mbrojtur institucionin e skllavërisë.
Sipas kësaj pike: “Asnjë person nuk duhet të jetë Senator ose Ligjvënës në Kongres, ose delegat për të zgjedhur Presidentin dhe Nënpresidentin, ose të mbajë ndonjë post, civil ose ushtarak, në Shtetet e Bashkuara ose shtete të veçanta, nëse, pasi është betuar si anëtar i Kongresit, ose si zyrtar i Shteteve të Bashkuara, ose si anëtar i çdo organi legjislativ shtetëror, ose si zyrtar i ekzekutivit ose gjyqësorit të një shteti, për të mbështetur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, përfshihet në kryengritje ose rebelim kundër tyre, ose u jep ndihmë armiqve të tyre. Por Kongresi me dy të tretat e votave të secilës Dhomë mund ta përmbysë këtë përjashtim.”
Avokatët e ish-presidentit Trump argumentojnë se pika 3 nuk vlen për presidentët, se 6 janari nuk ishte kryengritje dhe se zoti Trump thjesht po ushtronte të drejtat e tij të lirisë së shprehjes.
Opinionet e ekspertëve
Studiues të ndryshëm, zyrtarë zgjedhjesh, ligjvënës dhe figura të tjera politike kanë dorëzuar opinione në gjykatë, duke ndarë pikëpamjet e tyre në favor ose kundër zotit Trump.
Njëri prej tyre është Mark Graber, profesor i së drejtës në Universitetin e Merilendit dhe një nga ekspertët kryesorë për të drejtën kushtetuese lidhur me kryengritjet dhe Amendamentin e 14-të.
Në përmbledhjen e tij ai argumenton se vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados është në përputhje me mënyrën se si komuniteti ligjor e interpretoi kryengritjen në kohën kur u hartua pika 3 dhe se ai me të drejtë arriti në përfundimin se kishte ndodhur një kryengritje.
“Donald Trump nxiti kryengritjen”, i tha prof. Graber Zërit të Amerikës.
“Atij iu tha se postimet e tij në Twitter po nxisnin dhunë kundër zyrtarëve të zgjedhjeve. Ai reagoi duke i shtuar postimet e tij në Twitter. Atij iu tha se kishte persona të armatosur në turmë që synonin të merrnin nën kontroll Kongresin. Ai u përgjigj duke thënë: ‘Kur ka manipulime (zgjedhjesh), nuk përdoren mjetet e zakonshme, por duhet të luftosh, të luftosh me të gjitha forcat’”, shpjegon prof. Graber.
“Një person me logjikë duke e parë sjelljen e Trump-it, mund të mendojë se ai kishte qëllim të frymëzonte një kryengritje.”
Në përgjigje të një pyetjeje tjetër qendrore në këtë çështje – nëse Amendamenti i 14-të vlen për presidentin – prof. Graber thotë se përgjigja është “e qartë”.
“Çdo anëtar i Kongresit që përdori shprehjen ‘zyrtar i Shteteve të Bashkuara’ në Kongresin e 39-të tha se presidenti konsiderohej ‘zyrtar’ ”, nënvizon ai.
Të tjerë argumentojnë se i takon Kongresit të përcaktojë se në cilat raste mund të përdoret Amendamentit të 14-të. Një prej tyre është Prokurori e Përgjithshëm të Indianës, Todd Rokita, i cili paraqiti një opinion së bashku me 26 prokurorë të tjerë të përgjithshëm republikanë.
“Pika 3 nuk hyn në fuqi automatikisht,” tha ai gjatë një aktiviteti të mërkurën të organizuar nga Fondacioni Heritage, një institut konservator.
Ai argumentoi se sipas pikës 5 që parashikon se, “Kongresi do të ketë kompetencën për të vënë në zbatim, me legjislacion përkatës, dispozitat e këtij neni”, janë ligjvënësit që duhet të përcaktojnë se si do të zbatohet Amendamenti i 14-të.
Alan Dershowitz, profesor i së drejtës në Fakultetin Juridik të Harvardit, i cili ishte avokat i zotit Trump gjatë procesit për shkarkim ndaj tij në Senat, e mbështet këtë argument.
“Në mungesë të aktivizimit të Kongresit, nuk besoj se Amendamenti i 14-të hyn në fuqi automatikisht,” i tha ai Zërit të Amerikës.
“Përndryshe, pse do duhej neni 5 i Amendamentit të 14-të që i jep shprehimisht Kongresit fuqinë për të marrë këto vendime?”
Një grup prej 25 historianësh me peshë, përfshirë Allan J. Lichtman, profesor historie në Universitetin Amerikan, argumentuan në përmbledhjen e tyre se pika 3 vlen për zotin Trump dhe nuk “ka nevojë për një veprim tjetër të Kongresit, ose një dënim” për kryengritje.
Prof. Lichtman i tha Zërit të Amerikës se është e qartë se pika 3 është hartuar jo vetëm për të parandaluar “ish-konfederalistët, por edhe ata që kryejnë kryengritje në të ardhmen”.
“Hartuesit synonin të kishin një amendament të qëndrueshëm dhe që të mos mund të cenohej nga kongreset e ardhshme, duke qenë se është pjesë e Kushtetutës,” thotë Prof. Lichtman.