Nezir Çoçaj nis dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari Nezir Çoçaj, i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonës së Pashtrikut. Çoçaj është deshmitari i 104-ti me radhë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar ka qenë me masa mbrojtëse por që këto masa i janë hequr, ndërsa tani është duke u marrë në pyetje nga përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja,  Vega Iodice, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Iodice, dëshmitari do të tregojë se si pjesëtar i UÇK-së çfarë ka parë dhe vërejtur në ndërtesën e MUP-it në Prizren gjatë qershorit të 1999-ës.

“Dëshmitari 04679 është shqiptar i Kosovës që u kyç në UÇK në periudhën mars-prill 1998. Gjatë kësaj periudhë me UÇK-në ai ndihmoi për organizimin e UÇK-së në territorin e tij dhe me vonë u kyç në Zonën Operative të Pashtrikut. Dëshmitari jep dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimin e UÇK-së duke përfshirë edhe Zonën e Pashtrikut, komunikimet që ka pasur me anëtaret e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe çfarë ka parë ai me sy të tij dhe çfarë ka vërejtur ai në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren në qershor të 1999-ës”, tha prokurorja Iodice.

Një ndërtesë e cila iu prezantua dëshmitarit, ai tha se e ka vizituar gjatë qershorit të 99-ës dhe është ndërtesa e konvikteve në Prizren.

Vlen të theksohet se sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e Çoçajt pritet të zgjasë rreth një ditë. Sipas tij, Prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth një orë dhe ekipeve të mbrojtjes rreth katër orë për kundërpyetjet e tyre.

“Kam qenë komanda e Zonës së Pashtrikut”, tha Çoçaj.

Ai tha se UÇK-ja ka përdorur edhe shtëpinë e armatës  dhe shkollën e shurdhmemecëve në Prizren.

Për Samedin Xhezairin ai tha se ka qenë anëtar i UÇK-së dhe konkretisht i brigadës 125.

Mbrojtja e Thaçit, përmes avokates, Nina Tavakoli tha se nuk pret që të këtë pyetje për këtë dëshmitar e ngjashëm edhe ai i Rexhep Selimit, Eric Tully.  Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit tha se i duhen më pak se sa që ka parashikuar.

Në prova materiale u pranuan deklarata e më hershme e dëshmitarit si dhe shënimi përgatitor së bashku me materialet shoqëruese si dhe u klasifikuan si konfidenciale.

Po ashtu në prova u pranua edhe fotografia e ndërtesës së konviktit në Prizren.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *