Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 10 vota për dhe 1 abstenim, ka votuar raportin e Komisionit për rekrutimin e prokurorëve të rinj. Kësisoj, 24 emrat e prokurorëve të zgjedhur do të dërgohen për dekretim tek Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, tha se vota e tij është abstenim, duke pasur parasysh faktin se sistemi ka shumë nevojë për prokurorë të rinj, në të kundërt vota e tij do ishte kundër, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo sipas tij për shkakun e ecurisë e procesit. Krasniqi tha se moslejimi i shoqërisë civile dhe gazetarëve në monitorimin e këtij procesi, është gabim shumë i madh.
“Ka qenë edhe publike që shoqëria civile nuk është leju me monitoru, ka qenë gabim shumë i madh. Shoqëria civile mund të përfshihet në cilëndo fazë që ata e konsiderojnë të rëndësishëm, shpresoj mos të ndodhë më”, u shpreh ai në mbledhjen e 256-të të KPK-së të enjten.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), përmes një komunikate për medie, më 9 shtator, kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me moslejimin e monitorimit të procesit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit nga ana e Komisionit për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Paraprakisht, për këtë raport të komisionit, raportoi kryetari i Komisionit rekrutues, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka treguar edhe shpërndarjen e prokurorëve nëpër Prokurori.