Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, tha se mirëpret vendimin e Policisë së Kosovës për të njoftuar Inspektoratin Policor për nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet e një qytetari në veri se është rrahur nga Policia e Kosovës.
Më 26 tetor, Inspektorati Policor bëri të ditur se ka nisur hetimet për veprimet policore, pas pretendimeve të qytetarit nga Mitrovica e Veriut, Millosh Subotiq, se ishte rrahur nga Policia e Kosovës pasi ishte dërguar në stacion policor.
Me vendosmëri, ne kërkojmë që çdo pretendim për keqtrajtim të hetohen menjëherë dhe në mënyrë efektive nga autoritetet relevante. Në këtë kontekst, sipas mandatit të EULEX-it, roli ynë është që të monitorojmë hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe, nëse vendoset, edhe nga autoritetet prokuroriale”, tha EULEX në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Lidhur me pretendimet e Subotiqit, disa organizata joqeveritare njoftuan më 26 tetor për ndërprerjen e bashkëpunimit me EULEX-in derisa ky mision të mos deklarohet për këtë rast. Përmes një njoftimi, që u nënshkrua nga joqeveritare Aktiv, Nova Iniciativa Shoqërore, Qendra për Afirmimin e Veprimeve Shoqërore, Qendra për Mbrojtjen e Kulturës Demokratike dhe Instituti për Zhvillimin Ekonomik Territorial, u tha se Policia e Kosovës është “joprofesionale”.