Presidentja Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, lidhur me një bisedë që ai thotë se e ka kryer me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radjoçiq, në prani të saj dhe kryeministrit Albin Kurti. Osmani tha se tani vendi është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe se mund të dëgjohen deklarata të ndryshme, përcjell Gazeta Express.
“Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash kështu që iu kisha lutur për çka do që keni pyetje t’i drejtoni në Presidencë”, u tha ajo gazetarëve.
Kreu i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, në një deklaratë për media ka thënë se kishte realizuar një bisedë me Milan Radojicic për të siguruar vota te mjaftueshme për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente. Pacolli pretendon se kjo ka ndodhur në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe se ka edhe dëshmitar për këtë çështje.
Pas mohimit që i është bërë nga pushteti, Pacolli ka vazhduar reagimet e tij dhe duke thënë se dikush nga Qeveria s’po e tregon të vërtetën. Deputeti Pacolli ka sqaruar se bëhet fjalë për sigurimin e votës së deputetit të Listës Serbe, Adem Hodza
Pacolli ka thënë se për atë që ka deklaruar ka dëshmi.
“Prapë po ju them, mos insistoni ma tutje, dikush në emër të qeverisë po e shtrembëron të vërtetën, (nuk desha të them që po gënjen). Për këtë çka kam thënë ka dëshmi dhe njerëz të tjerë. Mos harroni se po tregoheni shumë të ligë dhe jo mirënjohës”, ka thënë Pacolli.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fbehgjeti%2Fposts%2Fpfbid02gtWyKTqqxYFTiXgXY2N64EV64v7NDmTWkmTVCU6eqJLwqihzHkfXm8Q3rVqb3zeQl&show_text=true&width=500
Me 71 vota për, më 4 prill të 2021 Kuvendi kishe zgjedhur Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Ndërsa dje ai i bëri thirrje Kurtit dhe Osmanit që të frenojnë njerëzit e tyre nga shpifjet dhe ofendimet.
“Nuk kam ndërmend të merrem me njerëzit tuaj, por kam një lutje: ju lutem frenoni njerëzit e juaj, ata që po më ofendojnë, sepse deklaratat e pavërteta që po bëjnë nuk po ofendojnë vetëm mua, por edhe fëmijët e mi,” ka thënë Pacolli.
Ai theksoi se veprimet e tilla nuk i bëjnë nder askujt dhe se nuk meriton një trajtim të tillë.
Pacolli gjithashtu paralajmëroi për pasojat ligjore që mund të sjellë manipulimi me emrin e tij./Gazeta Express/