Kurti flet për digjitalizimin e shërbimeve për qytetarët, thotë se është prioritet kyç i qeverisë

Kryeministri Albin Kurti, tha se digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët është prioritet kyç në agjendën e tij qeverisëse.

Kurti, i cili mori pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024, ka theksuar se po planifikohet ndërtimi i Qendrave të Integruara të Shërbimit, për të gjithë qytetarët që s’kanë mundësi t’i kryejnë këto shërbime vetë.

Kjo sepse, siç ka thënë ai, “gjithëpërfshirja është çelësi”.

“Ky event është bërë i rëndësishëm në rrugëtimin digjital të Kosovës. Jemi të lumtur që nga ky edicion KosICT do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë. Si ballafaqohemi me sfida dhe mundësitë, do të ketë rëndësi të madhe. Transformimi digjital është një prioritet kyç në agjendën tonë qeveritare. Kjo është e ardhmja që duam ta ndërtojmë. Ku njerëzit s’kanë nevojë të rrinë në rende të gjata por i marrin ato që i duhen vetëm me një klik”.

“Gjithëpërfshirja është çelësi. Për ata që nuk munden t’i përdorin shërbimet digjitale, do të mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat e Integruara të Shërbimit. Qendrat e para do të jenë në Prishtinë dhe jemi të entuziazmuar se si këto qendra do të punojnë. Siguria është e rëndësishme kur flasim për digjitalizim. Prandaj kemi themeluar qendrën e sigurisë kibernetike dhe së shpejti do të hapen edhe vendet e punës për agjencinë e sigurisë kibernetike”.

Tutje, Kurti ka thënë se platforma E-Kosova ka qenë një sukses i madh, ndërsa ka theksuar se siguria kibernetike është shumë e rëndësishme. Po ashtu i pari i qeverisë u shpreh se një ndër sukseset e Qeverisë ka qenë platforma E-Kosova ku mund të kryhen më shumë se 195 shërbime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *