Millaku kalon në LDK, Abdixhiku: Vendimi i saj tregues se vizioni dhe programi i jonë për Republikën është i duhuri

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar kalimin e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Drita Millakut nga Lëvizja Vetëvendosje në Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Express.

Abdixhiku ka shkruar se kalimi i Millakut nga VV në LDK është tregues i qartë se vizioni dhe programi i LDK-së është i duhuri.

Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Drita Millaku, mirë se vjen!

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot.

Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces.

Drita Millaku shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prizren. Fakultetin Filologjik, Dega: “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” e kreu në Universitetin e Prishtinës ku edhe mori titullin, “Magjistër e Shkencave Filologjike”. Për një dekadë rresht punoi në bibliotekën e qytetit të Prizrenit. Në vitin 2013 ajo është zgjedhur asambleiste në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Në vitin 2017, 2021, fitoi mandatin e deputetes si  grua më e votuar në Prizren.

Drita Millaku është e martuar me Fisnik Millakun dhe ka dy djem Longarin dhe Lumin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *