Hapja e kufirit në Merdare për mallrat serbe, Guerot e mirëpret vendimin e Qeverisë: Qasja multilaterale sjell rezultate

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdares.

“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdare për mallra nga Serbia. Ky është një vendim i rëndësishëm që mundëson progres në integrimin rajonal (procesi i Berlinit) dhe drejt integrimit europian. Qasja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, ka shkruar ai në X.

Këtë vendim të Qeverisë dje e ka mirëpritur edhe Gjermania, e cila negocioi me Qeverinë e Kosovës për heqjen e këtij vendimi në mënyrë që Kosova të mos e rrezikojë përjashtimin nga CEFTA.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dje kishte thënë se do t’i japin mbështetje Qeverisë për të garantuar plotësimin e kërkesave rreth shqetësimeve të sigurisë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka njoftuar se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë është hequr në pikën kufitare në Merdare, ndërsa ka potencuar se kjo ndalesë ishte vendosur për arsye sigurie dhe jo tregtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *