Që nga 29 gushti kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, në këtë instiuticion janë regjistruar suksesshëm 5,571 shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët duan të votojnë në Zgjedhjet për Kuvend.
Këto të dhëna janë bërë të ditura për gazetën online Reporteri.net nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se procesi i regjistrimit do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 6,069 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 5,571, ndërsa 498 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, tha Elezi.
Sipas të dhënave të prezantuara nga ai, vërehet qartë se regjistrimi për të votuar përmes postës mbetët mënyrë më e preferuar për shtetasit e Kosovës në krahasim me votimin fizikisht në përfaqësitë diplomatike.
“Nga 5,571 aplikime të aprovuara, 1,912 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 651 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 3,008 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, njoftoi Elezi.
Në përgjithësi duke folur për përgatitjet për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, Zëdhënësi i KQZ-së tregoi se janë duke u zhvilluar njëkohësisht një numër i madh i aktiviteteve zgjedhore, të cilat ndërlidhen me votuesit dhe subjektet politike.
“Shumë nga aktivitetet zgjedhore të cilat ndërlidhen me votuesit kanë filluar dhe janë në zhvillim e sipër, siç është periudha për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (29 gusht – 26 dhjetor 2024); periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës (29 gusht – 26 dhjetor 2024) dhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese (29 gusht – 28 dhjetor 2024). Gjithashtu, është duke u zhvilluar edhe periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë (1 shtator – 11 dhjetor 2024)”, tha ai.