Kryeministri i Kosovës thotë se ia vlen të rrezikohet në raport me aleatët ndërkombëtarë të vendit dhe se është kundër disa veprimeve strategjike, siç thotë ai, “pa kurrfarë parimësie vlerore”.
Albin Kurti në fund të shtatorit qëndroi në New York të SHBA-së për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në një intervistë në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane Struga, të publikuar të shtunën, u pyet nëse është “aventurë e rrezikshme” guximi “ndoshta i ekzagjëruar” përballë ndërkombëtarëve.
Parimësia në politikë, sidomos kur përfaqëson nivele të larta të saj në shërbim të interesit të popullit, të vullnetit të popullit, të drejtave dhe nevojave të tij, në kohëra të ndryshme mund të paraqes rrezik të ndryshëm, mirëpo unë besoj që është një rrezik që gjithmonë ia vlen, meqenëse parimësia është e drejtë. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi strategji, mirëpo nuk jemi dakord me veprime strategjike pa kurrfarë parimësie vlerore”, tha Kurti.
Ai tha se Kosova duhet ta marrë vetë “barrën e përgjegjësisë” dhe se kjo “është gjëja më normale”.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Perëndimin demokratik në përgjithësi, ne ndajmë në mënyrë të plotë vlera të përbashkëta, por gjithashtu edhe interesa e qëllime të njëjta. Por në Republikën tonë të Kosovës, natyrisht që jemi qeveri demokratike e një shteti të pavarur dhe duhet të marrim vetë vendime pë veten tonë, me ç’rast edhe konsultohemi me miqtë, me partnerët dhe me aleatët, por barrën e përgjegjësisë duhet ta marrim ne vetë. Dhe kjo mund të duket ngapak e çuditshme te disa njerëz që na krahasojnë me qeveritë e mëhershme, mirëpo kjo është gjëja më normale për një Republikë demokratike të pavarur si puna e Kosovës sonë të dashur”, tha Kurti.
Kryeministri përsëriti se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri, miku dhe aleati ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm”, ndërsa komentoi epitetin “antiamerikan” që i është vënë nga disa.
“Do me thënë, kundërshtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Qeverisë së Kosovës, duke mos arritur që të gjejnë argumente racionale, bëjnë konstatime të tilla iracionale. Dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë anti-amerikanizmi tek kushdo nga kabineti ynë qeveritar apo lëvizja jonë politike, përkundrazi, por ata të cilët bëjnë akuza të tilla, mbase më shumë shprehin në këtë mënyrë dëshpërimin opozitar sesa ndonjë kritikë të vlefshme”, tha Kurti.