Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë mëngjes shkoi në Stubëll kur mori pjesë në manifestimin ‘Takimet e Dom Mikelit’.
Ai tha se në këtë manifestim mes personaliteteve të shquara vendore, shqiptare e ndërkombëtare, u nderua figura e Presidentit Rugova në 80-vjetorin e lindjes së tij.
Stublla shquhet për një traditë të begatshme në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore e të arsimit shqip, fillimet e së cilit, siç thonë historianët, janë të para vitit 1905-s, kur u legalizua Shkolla e Parë Shqipe me mësues, priftin e patriotin, Dom Mikel Tarabulluzin. Për mua dhe LDK-në, Stublla me shkollën e saj, me Muzeun e Shkollës së parë, me historinë e Martirëve të Karadakut të shekullit XIX, me këtë manifestim kaq të bukur, me një mërgatë të shkëlqyeshme dhe me vlera tjera që ngërthen, përbën një vlerë specifike për tërë Kosovën tonë”, shkroi Abdixhiku.
Prandaj, tha Abdixhiku, tha se ishin të nderuar që këtë vit ky manifestim shënohej rreth Ibrahim Rugovës.
“Ibrahim Rugova, para se të ishte politikan i madh, ishte intelektual i madh, njeri i artit e letërsisë, që besonte te kultura, tradita e vlerat e demokracisë perëndimore, dhe për të, kultura ishte arma më fuqishme për t’ia ndalë hovin së keqes. Një mision të tillë, në një formë tjetër, e kanë luajtur edhe “Takimet e Dom Mikelit”, duke afirmuar vlerat pozitive të historisë sonë e duke dhënë shembuj të mirë për breznitë e reja, siç ishte dita e sotme, nderimi që po i bëjmë Ibrahim Rugovës, themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kontributit të tij për Kosovën tonë”.
Në këtë manifestim mori pjesë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më herët po ashtu lavdëroi veprën e Rugovës, duke thënë se “mes fjalëve dhe veprave të tij s’ka pasë ndryshim”./Express/