Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Mitrovicë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është 40-vjeçari, Florim Zeqiri, cili është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në drejtim të tij janë shkrepur gjashtë plumba dhe e gjithë kjo ka ndodhur pas shpinës së tij.
Kështu ka bërë të ditur ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili e ka dënuar ashpër këtë akt.
F. Zeqiri (40 vjeç) nga Vinarci, mbeti i plagosur rëndë pas të shtënave me armë ku u shkrepën 6 plumba në drejtim të tij. Ky akt, ndodhi prapa shpinës së tij, dhe gjendja e tij anipse e rëndë po vazhdon të monitorohet vazhdimisht nga emergjenca e QKUK-së”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot, rreth orës 09:42, në Mitrovicë, është raportuar për një person të lënduar nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në rrugën ‘Fatime Hetemi’ në Mitrovicë. I plagosuri, viktima i moshës madhore është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.