Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, foli në emër të grupit parlamentar në hapje të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se fjalimin e parë do t’ia kushtonte performancës ekonomike, duke e vlerësuar atë si “armë të fortë” të qeverisë. Kjo shkaktoi të qeshura në Kuvend.
“Fjalimin e parë dëshiroj t’ia përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme të cilat për shkak të situatave politike, jo rrallë kanë qenë në hije ose nuk janë diskutu shumë, por një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike”, tha Muja.
Për shkak të të qeshurave dhe reagimeve, iu desh të ndalej pak. “Në tremujorin e parë të.. a ka mundësi pak qetësi?”.
“Në tremujorin e parë të vitit 2024, në bazë të ASK-së rritja e raportuar ishte 5.6% në terma realë, dhe marrë në përgjithësi, që nga ardhja e kësaj qeveria, nëse bëhet analizimi i thjeshtë, rritja mesatare që nga viti 2021 vazhdon të jetë mbi 6%, larg përtej krahasimisht rritjeve që kanë ndodh paraprakisht”, vazhdoi Muja.
“E veçanta e kësaj rritjeje ekonomike në 2-3 vitet e fundit”, sipas Mujës, është se “kjo është rritje ekonomike pa borxh, nuk është e bazuar në borxh”.
Muja tha se “po të mos ishim ne, 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin”.
“Rrjedhimisht, i gjithë financimi i shtesave për fëmijë, i gjithë financimi për fëmijë do të mungonte”, tha deputeti i LVV-së, duke e lavdëruar administrimin e politikës fiskale.