Alarmi për “zhvendosjen e serbëve”, Hasani: Pak i besueshëm, histeri e disa politikanëve të kohës së Millosheviqit

Alarmi për “zhvendosjen e serbëve”, Hasani: Pak i besueshëm, histeri e disa politikanëve të kohës së Millosheviqit

Lajmi që Sonja Biserko dhe Nenad Çanak ia sollën të dielën në zyrë Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se në Beograd po diskutohet që pushteti atje po planifikon zhvendosjen e serbëve nga Kosova, për Enver Hasanin profesorin e së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare është pak i besueshëm.

“Me gjithë respektin që kam për zonjën Biserko e zotin Çanak, një gjë e tillë duhet të jetë pak e besueshme”.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye shtetërore që do të shtynte Serbinë për një hap të tillë. Përkundrazi, një gjë e tillë do të shkonte kundër interesave të saj, vlerëson ish -kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

“Më shumë besoj se kjo është histeri e disa prej politikanëve lokalë serb nga regjimi i vjetër i diktatorit Sllobodan Millosheviq, të cilët janë të prirë për qasje të tilla irracionale në raport me shqiptarët”, shtona ai.

Hasani ka folur edhe rreth reagimeve të forta të vendeve të QUINT’it pas aksionit policor të javës së kaluar në pjesën veriore për mbylljen e komunave ilegale.

“Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, po luan për vota – zoti Kurti e di mirë që konflikti i hapur nuk është i mundur; kjo në fund të fundit i intereson aleatëve tanë – përmes nxitjes së ndjenjave e pasioneve më të papërmbajtura nacionaliste” thekson ai.

“Ajo që Qeveria nuk e kupton është arsyeja se përse serbët nuk duan konflikt të hapur: pala serbe po luan me mjeshtri kundrejt Kosovës, duke i ikur me çdo kusht konfliktit të hapur, përmes frenimit të serbëve lokalë dhe inkurajimit të tyre që pjesërisht të marrin pjesë në realizimin e disa prej marrëveshjeve bilaterale, siç janë tabelat, dokumentet, energjia dhe kështu me radhë, të cilat nuk kanë implikime sovranizuese për shtetin serb” shton ai.

Duke e komentuar blerjen e aeroplanëve “Rafale” nga Beogradi, Hasani thotë se ky veprim i Francës e “largon një hap më tutje Serbinë nga Rusia.

“Ata avionë nuk mund të përdoren kundër Kosovës, e cila, siç e shihni, ka trendin e njëjtë të armatosjes. Kjo armatosje reciproke është duke u bërë jo si garë në armatim, por si garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon, duke krijuar një raport të forcave nën ombrellën e NATO-s”, vlerëson ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *