Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, intervistohet nga policia

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, është marrë në pyetje nga policia në stacionin policor të rajonit të Veriut.

Radojeviq pretendoi se situata është e “dhimbshme” dhe se “veprimet e Policisë së Kosovës ndaj serbëve në veri të Kosovës tregojnë për mungesë serioze të profesionalizmit”.

Ai tha se nuk ka marrë një thirrje zyrtare për intervistim, por se ka “e ka marrë vesh pasi shtatë policë kanë qarkulluar nëpër lagje, duke e kërkuar nga dyqani në dyqan”.

“Jam i tronditur nga kjo, sepse jam ish-kryetar i këtij qyteti dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme që nuk fshihet”, tha Radojeviq.

Ai ka shtuar se “policët kanë ardhur te familja e tij dhe kanë thënë se nuk do të largohen derisa ta kontaktojnë”.

“Në atë moment isha rrugës për në Serbi, por u ktheva menjëherë. Nuk po fshihem. Unë besoj se një fytyrë e pastër dhe një ndërgjegje e pastër janë më të rëndësishmet. Prandaj erdha të shoh se për çfarë bëhet fjalë”, ka theksuar Radojeviq.

Ai ka akuzuar Policinë e Kosovës edhe për “mungesë profesionalizmi”, duke thënë se fillimisht i ishte thënë që të vinte në stacionin policor në ora 10:00 dhe më pas intervistimi i tij u zhvendos për në orën 14:00.

“Nuk e di se çfarë po përpiqen të bëjnë… Ky represion, le të themi, është i drejtuar kundër liderëve të Listës Srpska, por të gjithë qytetarët e këtij qyteti e ndjejnë”, tha Radojeviq.

Ai shtoi se do ta ndjekë rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës, duke theksuar se është krenar për “punën e tij për institucionet e Republikës së Serbisë”.

“Nëse mëkati im më i madh është se punoj për institucionet e Republikës së Serbisë, jam jashtëzakonisht krenar për këtë. Do të shohim se në cilin drejtim do të shkojë procedura dhe çfarë do të ndodhë më pas. Nuk mund t’ju them asgjë më shumë, më kuptoni”, ka përfunduar Radojeviq.

Radojeviq është një nga pesë punonjësit e thirrur në intervistë nga Policia e Kosovës pas mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës më 30 gusht nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *