Bashkimi Evropian (BE) e ka paralajmëruar Serbinë se mbajtja e lidhjeve me Moskën gjatë agresionit rus kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut, e as me procesin e anëtarësimit në të.
Ky reagim i Brukselit vjen pas një takimit të planifikuar të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF), i cili mbahet nga 3 deri më 6 shtator në Vladivostok të Rusisë.
“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës,” tha BE-ja për Radion Evropa e Lirë (REL) më 3 shtator.
BE-ja “dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshëm evropianë për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët”.
Kabineti i Putinit tha se presidenti rus do të takohet me Vulin më 4 shtator. Po ashtu, Putini do të takohet në të njëjtën ditë edhe me kryeministrin e Malajzisë dhe zëvendëspresidentin e Kinës.
“Nëse i lejohet Orbanit, mund t’i lejohet edhe Vulinit”
Duke iu përgjigjur pyetjes së REL-it për takimin e Vulinit me Putinin, kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha se njoftimin për atë takim e ka parë në media.
Ai tha se “nuk është asgjë epokale e as aq e tmerrshme” që Vulini do të takohet me Putinin në Rusi.
“Ne nuk i kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar që dikush të takohet me përfaqësuesit e Federatës Ruse”, shtoi Vuçeviq gjatë një turneu në Novi Pazar, në Serbinë jugperëndimore.
Vuçeviq theksoi se Serbia nuk inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
“Ne votuam për të gjitha rezolutat që konfirmojnë integritetin ukrainas, por ne nuk heqim dorë nga miqësia jonë me Federatën Ruse, nuk vendosëm sanksione, e as nuk e dëbuam ambasadorin. Përkundrazi, ne kemi komunikim normal”, theksoi ai.
Ai kujtoi gjithashtu se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si lider i një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ishte së fundmi në Moskë dhe u takua me Putinin.
“Nëse i lejohet Orbanit, sigurisht që mund të takohet edhe Vulini. Nuk shoh ndonjë dallim, apo qasje tjetër”, tha kryeministri i Serbisë.
“Ne nuk do të kërkojmë falje për politikën tonë dhe ta justifikojmë atë. Ne mund ta shpjegojmë politikën tonë,” përfundoi Vuçeviq.
Prej se e mori postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë në maj, Vulin e ka vizituar dy herë Rusinë.
Ai ka vazhduar të mbajë lidhje të ngushta me Kremlinin edhe pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022. Gjatë vizitave të tij në Moskë, ai vazhdimisht thekson se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Kremlinit.
Vulin – ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) – është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës, për çfarë është kritikuar nga Brukseli, të cili synon t’i bashkohet në atë ardhmen.