2 milionë qytetarë me të drejtë vote, mbi 161 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar Raportin e Listës Preliminare të Votuesve, listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës, numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal të votuesve, raporton Ekonomia Online.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, të drejtë vote kanë 2,047,148 votues, pra 161,700 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të mbajtura me datë 17 tetor 2021.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar te Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka njoftuar se KQZ-ja ka pranuar deklarimin e një koalicioni mes dy partive politike.

Tutje ai shtoi se sipas ligjit partitë e regjistruara që duan te marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit kanë afatin e fundit deri të premten ta njoftojnë KQZ-n.

“Është duke vazhduar për deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Deri më tani KQZ ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen”, ka thënë Buzhala.

Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.

Më 30 gusht 2024 (16:00) përfundon edhe afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje. Deri më tani, partitë politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.

KQZ shqyrtoi dhe miratoi raportin e Listës Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,047,148 votues, pra 161,700 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025 është: 209,878 votues, prej të cilëve:

– 124,366 votues mund të konsiderohen si votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale, të mbajtura me datën 17.10.2021, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i Departamenti i Gjendjes Civile;

– 85,512 votues mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, pra votuesit që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, votuesit e regjistruar për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i DGJC.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *