Tahiri – Qeverisë: Kthehuni në realitet, mos mashtroni po punoni najsen

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka ngritur disa pyetje publike për Qeverinë e Kosovës e që sipas tij kanë të bëjnë direkt me interesin e qytetarëve.

Sipas tij, secili po merret me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë në mungesë njohurish por nuk po merren me problemet që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve.

“I madh e i vogël në këtë vend është duke u marr me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë, pa pasur kurrfarë dije e as njohurie për to. Tani, është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme për funksionimin normal të mirëqenies së një familje”, ka thënë Tahiri.

Pyetjet që janë ngritur nga Tahiri:

  • Një javë para fillimit të vitit shkollor, kur do të dalin paratë për libra dhe a është gjithçka gati për vitin e ri shkollor? Asnjë përgjigje dhe qetësi nga MAShTI.
  • A do të përfundojnë para dimrit këto rrugë? A do të hyjmë në vitin 2025 me katrahurën e rrugëve që i lidhin Gjakovën, Gjilanin, Mitrovicën e Podujevën me kryeqytetin? Dhe, a do t’i rimbursoni mbi 2500 biznese të cilat janë para bankrotimit?
  • Kur do t’i rrisni pensionet? A po pritni për ta bërë këtë para fushatës zgjedhore? A e dini që Interlokutori i Kurtit në dialog, Vuçiq, ka njoftuar se nga 1 dhjetori 2024 do të rriten pensionet në Serbi. Ky i yni, jo vetëm që përmes dialogut nuk i ka kthyer mjetet e vjedhura nga Serbia, siç kishte premtuar gjatë kohës në opozitë, por i ka lënë pensionet në nivel të asistencës sociale, që nuk u ofron të moshuarve as mjete të mjaftueshme për trajtim shëndetësor!
  • A do të hiqni dorë nga kapja e institucioneve të pavarura dhe a do të ndaleni me sulmet e juaja, e më së keqi me kthyer RTK-në në organ partiak? Cili është kriteri për përzgjedhjen e tre anëtarëve tjerë të Bordit.
  •  Kur do të kalojë Ligji për Sigurimet Shëndetësore? E di që për pagat në sektorin publik as që e keni në plan, as nuk do ta bëni kur ta sillni buxhetin e vitit 2025.

Ai ka kërkuar nga qeveria kthim në realitet – “Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *