Gjykata Speciale tashmë ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emerson, për tërheqje nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Sipas Gjykatës Speciale kjo nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.
“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Vendimi thuhet se do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.